Shqiperia e Madhe > Figura te Shquara

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

<< < (2/2)

nikola:
Çfarë shkruan në kujtimet e tij Plaku i Vlorës, simboli i Pavarësisë së Shqipërisë

Gjergj Kastrioti, figura më e ndritur e historisë sonë kombëtare
Në recensionin që historiani ynë i shquar prof.A.Buda i bënte veprës së F.S.Nolit “Historia e Skënderbeut”, (1921) shkruan midis të tjerave një të vërtetë të thjeshtë, por mjaft kuptimplotë: “Skënderbeu është një figurë që i ka bërë për vete shqiptarët që nga fëminija e tyre më e hershme, e deri në fund të jetës”.

Këtij vlerësimi kuptohet se nuk i ka shpëtuar as Plaku i madh i Vlorës. Skëndërbeu ka qenë dhe do të mbesë në shekuj, figura më e ndritur e historisë sonë kombëtare, për luftën e tij vigane që zhvilloi në krye të shqiptarëve për 25 vjet me radhë në një nga periudhat më të rënda të historisë së tyre, siç ishte lufta për mbrojtjen e vendit nga invazioni osman. Në këtë përballje heroike për jetë a vdekje kundër një pushtuesi të egër, të huaj nga gjuha, zakonet që kërcënonte gjithë zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të arrirë nga shqiptarët në shekuj, ranë fli me mijëra e mijëra të rinj nga të gjitha shtresat dhe krahinat e vendit që mbushnin radhët e ushtrisë së heroit tonë legjendar. Sipas kujtimeve të Gjon Muzakës, (bashkëluftëtar i Skënderbeut) “në ato beteja të pandërprera dhe mizore ranë pothuajse edhe të gjithë djemtë e zotërinjve të kohës”. (I giovani Principi albanesi erano quasi tutti morti).

Qëndresa e shqiptarëve
Me qëndresën e tyre shqiptarët fituan admirimin e popujve dhe shteteve të krishtera të Evropës, pasi lufta e tyre ishte njëherësh në mbrojtje të qytetërimit evropian. Këtë vlerësim të lartë i shprehën heroit tonë në letrat e tyre: papa Pali II, Kalisti II dhe burra të tjerë shtetesh si Alfonsi V i Napolit, duka i Milanos, Francesko, të cilët përjetonin me ankth qëndresën shqiptare. Këta udhëheqës të kohës ishin të bindur, (dhe koha më pas e provoi këtë) se synimi i osmanëve ishte të hidheshin në Itali dhe Evropë dhe se ky rrezik, ishte krejt i mundshëm po të binte Shqipëria. Burimet provojnë se për këtë funksion evropian të luftës së popullit shqiptar ishte i ndërgjegjshëm Heroi ynë Kombëtar: “Po të mos isha unë, Evropa do të ndiente” - këto janë ato fjalët lapidare, më të cilat heroi ynë iu përgjigj më 1460, një princi mendjelehtë italian që nuk kishte kuptuar qëndresën e shqiptarëve.
Emri dhe flamuri i Skënderbeut i priu shqiptarët edhe pas pushtimit osman në përpjekjet e tyre shekullore për liri e pavarësi. Ai u bë simbol i qëndresës dhe fitores mbi armikun dhe frymëzoi shqiptarët në kryengritjet e shekujve XVI-XVIII dhe në periudhën e rilindjes sonë kombëtare. Emri i tij u bë burim frymëzimi dhe mobilizimi edhe në prag të përpjekjve të shqiptarëve me në krye Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.

Si politikan dhe diplomat me horizont dhe kulturë të gjerë është krejt e natyrshme, që Ismail Qemali të kishte një njohje të thellë për Skënderbeun, për vendin dhe rolin e tij në historinë kombëtare dhe atë evropiane në përgjithësi. Në periudhën kur jetoi dhe veproi Ismail Qemali, për Skënderbeun qarkullonte një letërsi e tërë e shkruar nga rilindasit tanë të mëdhej, të cilët e kishin fokusuar Heroin tonë Kombëtar si figurë qendrore me peshë të veçantë në përpjekjet e tyre për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Skënderbeu ishte bërë tepër popullor për shqiptarët me veprat e De Radës “Këngët e Milosaos”, dhe sidomos, nga Naim Frashëri që shkruajti edhe në vargje historinë e tij. Krahas kësaj letërsie më karakter popullor dhe propagandistik në shtypin e rilindjes filluan edhe përpjekjet e para për një trajtim “shkencor” të figurës së Skënderbeut dhe periudhës së tij. Shkrime të kësaj natyre janë p.sh. disa artikuj të Konicës botuar në revistën “Albania” mbi armët e Skënderbeut, mbi portretin autentik të tij, mbi topografinë e vendeve të betejave etj.
Megjithatë Ismail Qemali, njohës i disa gjuhëve të huaja evropiane, kishte lexuar shumë vepra kushtuar Skënderbeut që qarkullonin në letërsinë botërore dhe në këtë kuadër s’ka fjalë se kishte lexuar edhe autorin kryesor të historisë së Skënderbeut, Barletin, veprën e tij “Historia e Skënderbeut” e cila qarkullonte një një varg përkthimesh në gjuhë evropiane.
Por, ndryshe nga të gjithë patriotët dhe shqiptarët e tjerë plakun e madh të Vlorës e lidhte me Skënderbeun edhe një moment i veçantë personal: Për një koincidencë të lumtur të historisë, atij i takoi fati të ngrinte në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh popullor flamurin që heroi ynë legjendar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e kishte ngritur më 28 nëntor të vitit 1443 në Krujë.

“Shpirti i Skënderbeut” në sheshin e flamurit
Ismail Qemali, shkruan se këtë moment të veçantë, sa sublim aq edhe historik e ka përjetuar me emocionet e jashtëzakonshme. Këtë ai e tregon kur përshkruan mbledhjen e delegatëve të ardhur nga të katër anët e vendit në një kohë të vështirë, kur ushtritë e vendeve ballkanike po pushtonin qytet dhe krahinat e e ndryshme të vendit.
“Kongresi, shkruan, Ismail Qemali, u hap menjëherë. Në mbledhjen e tij të parë, më 28 nëntor 1912, ai votoi unanimisht shpalljen e pavarësisë. Pas këtij akti, mbledhja u ndërpre dhe delegatët dolën nga dhoma për të ngritur mbi shtëpinë time, shtëpinë ku kisha lindur dhe ku kishin jetuar të parët e mi, në mes të brohoritjeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit.

Për mua ai ishte një moment i paharrueshëm. Duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria, ndërsa ngrija në ballkonin e shtëpisë së vjetër flamurin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. U duk sikur shpirti i atij heroi të pavdekshëm, kaloi si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit që brohoriste”.

Në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet edhe kopja e fjalimit të mbajtur nga Ismail Qemali në miting në Vlorë, ku ai përsëri i referohej Skënderbeut: “Oh! Sa të lumtur e ndiej veten sot, që shoh këtu në Vlorë, kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e atdheut tonë të dashur. Plot më gaz e me lot ndër sy, edhe këtë minutë, Kongresi shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e, duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisjes së përkohshme të Shqipërisë së lirë”.

“Porsi një ëndërr me duket ky ndryshim i madh i vendit tonë, që hoqi e vuajti të zezat e ullirit pesëqind vjet me radhë nën sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirt përgjithmonë, të shuhej e të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut, kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj : Kjo Shqipëri që kur i kërcënonte rreziku i Evropës nga pushtimet e Turqisë, nën kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbenë, u bë porta e hekurt kundër sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia” 1 .

“Kujtimet” e Ismail Qemalit
Megjithatë, nuk janë këto rastet e vetme kur Ismail Qemali i referohet Skënderbeut. Ai i ka kushtuar historisë së tij një vend të veçantë në librin e tij “The Memoirs of Ismail Kemal bey”, (Kujtimet e Ismail bej Qemalit) e cila u botua në Londër më 1920.
Libri shoqërohet me një parathënie të W.M.Fullerton, një publicist ky i njohur i kohës, me të cilin Ismail Qemali kishte kaluar muaj të tërë në Paris në vitet 1917 – 1918, duke diskutuar ngjarjet dhe rrjedhimet e Luftës së Parë Botërore.
Për përgatitjen për botim të librit meritë ka pasur S.Story i cili bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin. Sipas W.Fullertonit bashkëpunimi midis tyre ka qenë mjaft i vështirë, për shkak të ndërprerjes të vazhdueshme të punës nga ana e Ismail Qemalit.
Gjatë përgatitjes për botim të librit, shkruan Fullerton “Ismail Qemali ishte i tërhequr nga probleme të rënda të karakterit personal, të cilat ishin shpesh herë të mundimshme, si dhe nga preokupacionet patriotike dhe intrigat që luheshim lidhur me të ardhmen e Shqipërisë. Ai nuk i kushtonte, dhe sigurisht as do të kishte mundur t’i kushtonte, gjithë kohën e tij kësaj pune. Momentet e tij entuziazte të alternuara me zhdukjen e tij të vazhueshme dhe pastaj përpëlitjet e tij sa herë që rimerrte në dorë për të rregulluar kujtimet e veta, gjithë kjo krijonte një kompleks situatash aspak të favorshme për një ecuri të mirë të punës që zoti Story ishte impenjuar për ta çuar deri në fund”.
Libri përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë “Në shërbim të Perandorisë Osmane” jepet një kuadër i gjerë i problemeve të rënda me të cilat ballafaqohej Perandoria Osmane . Pjesa e dytë i kushtohet “Shqipërisë dhe shqiptarëve”, prejardhjes, historisë, zakoneve dhe traditave të tyre. Këtu autori ka dhënë një “Histori” të përmbledhur jetës dhe veprës së heroit tonë. Ajo bazohet në tregimin e njohur të Barletit mbi rininë e Skënderbeut, pra dorëzimin e tij bashkë më të vëllezërve peng tek sulltani nga Gjon Kastrioti dhe më pas kthimin e tij në Krujë pas disfatës që pësuan turqit në betejën e Nishit (1443). Sipas Ismail Qemalit, lufta e shqiptarëve kundër turqve osmanë vinte nga dëshira e pashuar e tyre për liri e pavarësi. Ajo shpërtheu për shkak të pabesisë që tregoi sulltan Murati ndaj Skënderbeut, pas vdekjes së të atit Gjon Kastriotit dhe të pushtimit nga ana e sulltanit të kështjellës së Krujës. Sipas Ismail Qemalit ky akt shënonte edhe fundin e pavarësisë së vendit.
“Kur Turqia, - shkruan I.Qemali - në kohën e sulltan Muratit i pati pushtuar vendet e tjera ballkanike, ajo u detyrua të ndalej në përparimin e saj, për shkak të qëndresës së papritur e të fortë të Shqipërisë.

Ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti
Ismail Qemali përshkruan më tej të atin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin, të cilin e përshkruan si një princ të mençur dhe të dashur: “Në atë kohë në krye të vendit tim - shkruan autori - ishte Gjon Kastrioti, një i udhëheqës i dashur dhe i respektuar. Ai i ndodhej përballë alternativës ose vazhdonte një luftë të pasigurtë kundër forcës shkatërruese të sulltanit ose të pranonte një rregullim miqësor me të, ai zgjodhi këtë të fundit, një zgjedhje kjo, që në mos tjetër, garantonte së paku autonominë e vendit të vet.
Si shenjë pengu, ai dërgoi të katër fëmijët e tij në Adrianopojë, që ishte atëherë kryeqyeti i Perandorisë. Dhe për dhjetë vjet, ai i qëndroi besnik me skrupulozitetin më të madh kësaj marrëveshjeje. Gjergji, më i vogli nga këta fëmijë, i cili u objekt i legjendës popullore për veprimet e tij ushtarake kur luftoi me emrin Skënderbe, ishte kështu që nga fëminia e hershme e tij në oborrin e Muratit. Ky i dha një edukim të shkëlqyer dhe tregoi për të një vlerësim të madh.
Gjergj Kastrioti nga ana e tij ju përgjigjej kësaj mirësjelljeje të sulltanit, me një përkushtim të sinqertë. Por, kur vdiq Gjon Kastrioti dhe Gjergji, i biri, duhej t’i zinte atij vendin, sulltani, përkundrazi, dërgoi në Shqipëri trupat e tij të cilat pushtuan kryeqytetin, Krujën. Me këtë akt pavarësia e Shqipërisë mori fund, por mori fund edhe besnikëria e Gjergj Kastriotit ndaj sulltanit. Duke përfituar nga shpartallimi që hungarezët i shkaktuan turqve në Moravë, ai u nis për në Shqipëri me treqind burra. Ai u prit me entuziazëm jo vetëm nga njerëzit në Krujë, por nga të gjithë krerët e vendit dhe u njoh prej tyre si udhëheqësi më i madh i Shqipërisë”.

Vlerësimi
Ismail Qemali ka vlerësuar luftërat e Skënderbeut dhe fitoret e tij:
“Për tridhjetë vjet Skënderbeu e mbuloi Evropën me ushtimën e armëve të tij dhe me lavdinë e emrit të vet, në një luftë të pandërprerë kundër fuqisë turke, e cila deri atëherë konsiderohej e pathyeshme”.
Më tej autori merret me fatin e të birit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit, por në një mënyrë të ndryshme nga faktet historike që njihen sot. Siç dihet pas vdekjes së Skënderbeut, Gjon Kastrioti bashkë më të ëmën, Donikën (vajzën e Gjergj Aranitit) kaluan në Mbretërinë e Napolit në mbrojtjen e Ferdinandit, djalit të Alfonist V. Sipas I.Qemalit, ai kaloi në Venedik, por këta e dorëzuan te turqit: “Në prag të vdekjes së tij, shkruan autori, ai (Skënderbeu – LM) ia besoi djalin, i cilin ishte akoma i vogël Republikës së Venedikut, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë për trashëgimtarin e fronit të vet dhe për shpëtimin e vendit të tij. Por këtij besimi, Venediku iu përgjigj mjaft keq: në vend që venecianët ta mbronin atë, ata ua dorëzuan djalin turqve. Kështu, Perandoria Osmane mundi edhe një herë ta merrte me anë të një marrëveshjeje (me venecianët ) atë që nuk kishte mundur dot ta pushtonte me forcën e armëve. Kështu Shqipëria u detyrua edhe një herë të njihte sovranitetin e sulltanit dhe t’i bënte atij betimin e besnikërisë”.
“Shqiptarët, një popull i lidhur më turqit”

Në kujtimet e tij, Ismail Qemali trajton në mënyrë tepër origjinale marrëdhëniet e shqiptarëve më turqit. Ai nuk përmend në asnjë rast përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, kryengritjet që ata zhvilluan nën emrin e Skënderbeut dhe flamurit të tij. Ata kërkuan shkëputjen nga Perandoria Osmane, kur kjo ishte në prag të shkatërrimit të saj në fund të shekullit XIX. Kështu, sipas tij, pas pushtimit osman: “Shqiptarët nuk kanë hequr dorë nga dëshira e tyre e zjarrtë për pavarësi, kanë qenë në të vërtetë i vetmi popull ballkanik i lidhur me Perandorinë Osmane, gjithmonë të gatshëm për ta mbështetur atë, gjithmonë të predispozuar t’i japin dorë për t’u forcuar dhe të shkojë përpara me forcën e saj.
Por kur shqiptarët panë se në vend që të forcohej, Turqia vazhdonte duke u dobësuar dhe shkonte me shpejtësi drejt shkatërrimit të vet, atëherë u ngritën të detyruar për ruajtjen e tyre, duke thirrur me një zë “Nëse turqia kërkon të vrasë, vetëm le të vrasë. Ne jemi të vendosur të mbijetojmë”.

Shqiptarët nuk bëjnë dallim midis tyre nisur nga besimi
Qëndrimi i shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane, sipas Ismail Qemalit, nuk mund të shpjegohet më influencën e besimit mysliman, i cili u pranua nga shumica e popullsisë kur Shqipëria ra nën Turqinë. “Arsyeja e vërtetë, sipas autorit, duhet kërkuar në një shkallë më të thellë të interesit kombëtar. Megjithëse, nuk duhet mohuar në mënyrë të përgjthshme influenca e besimit në mendësinë e popullit, dhe as pushteti që ka islami për asimilimin e racave, Shqipëria përbën një përjashtim nga rregulli, i cili është kaq konstant në Lindje. Në Shqipërinë veriore, nga bregu i Adriatikut deri në kufi me serbët, pjesa më e madhe e popullsisë është myslimane, ndërsa pjesa tjetër katolike. Në Shqipërinë e Jugut janë myslimanë dhe ortodoksë. Megjithatë edhe pse janë të gjithë besnikë të besimeve të tyre respektive dhe shpesh të zjarrta dhe të ashpra, shqiptarët nuk nuk bëjnë dallim midis tyre nisur nga besimi, dhe asnjë grup popullsie nuk kërkon mbi këtë pikë superioritet apo privilegje”.

Zhgënjimi i Ismail Qemalit nga vendimet e Konferencës së Londrës
Për Ismail Qemalin, lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut kishte qenë e një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e Evropës nga rreziku i invazionit osman. Ky ishte në fakt një mendim i përgjithshëm i kancelarive të shteteve të Evropës së krishterë në kohën e Skënderbeut. Nisur nga ky fakt, Plaku i madh i Vlorës shpresonte se Konferenca e Londrës do të vlerësonte këtë kontribut të rëndësishëm të shqiptarëve dhe do t’i mbështeste ata për krijimin e shtetit të tyre të pavarur në trojet e veta.
“Midis gjithë argumenteve të trajtuara nga konferenca, shkruan Ismail Qemali, në gjykimin tim argumenti më kryesor, më interesant dhe mbi të gjitha esencialisht evropian, ishte ajo e Shqipërisë. Neve na u duk e mundshme të shpresonim që një popull me kaq merita....dhe shërbimet që i kishte bërë Evropës, së pari duke e mbrojtur atë kundër invazionit të turqve do të kishte mundur të bëhej zot në shtëpinë e vet dhe të ruante pavarësinë kombëtare... Të sigurtë në legjitimitetin e kërkesave tona, ne prisnim me besim të plotë verdiktin e konferencës së Fuqive të Mëdha.” Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. “Më shumë se gjysma e terriorit të vendit tim, shkruan Ismail Qemali, iu dha Serbisë, Malit të Zi, dhe Greqisë”.

Navigation

[0] Message Index

[*] Previous page

Go to full version